KONGREGATA SALEZIANE E DON BOSKOS
Fillimi i historisë së Kongregatës Saleziane, i ka rrënjët në një lagje të një fshati të Italisë së veriut afër Torinos, me emrin Beki.
Këtu lindi ai, i cili do të bëhet më vonë, themeluesi Kongregatës Saleziane dhe i tërë Familjes së madhe Saleziane, Gjon Bosko.
Në moshën 9 vjeçare, në vitin 1824, Gjon Bosko pa një ëndërr-vegim, në të cilën iu shfaqën Zotëria dhe Zonja e Bekuar. Ata do i tregonin thirrjen dhe misionin e tij: do të bëhej Atë, Mësues dhe Mik i të rinjve, sidomos i atyre më të varfër dhe atyre që kanë më shumë nevojë, të braktisurve.
Data e fillimit të Kongregatës Saleziane, është 8 Dhjetori i vitit 1841, me takimin emblematik të meshtarit don Gjon Bosko dhe djaloshit të vogël bonjak (jetim), me profesion murator, Bartolome Gareli.
Shumë me rëndësi, është dhe data 26 Janar 1854. Në këtë datë, Don Bosko, mblodhi grupin e parë të të rinjve 20 vjeçarë, të vendosur për të ndjekur rrugën e tij. Ai i dha emrin “Salezianë” këtij grupi, që u bë dhe bërthama e Kongregatës Saleziane.
Sot Kongregata Saleziane, numëron rreth 17.000 anëtarë, të cilët janë thelbi i bazës animuese të Familjes Saleziane, të të gjitha Bashkësive Edukative Pastorale, dhe të rreth 1300 Veprimtarive Saleziane të shpërndara nëpër Botë.
Kushtetuta Saleziane në nenin nr. 1 thotë: “Me ndjenja të përvujtërisë falenderuese, ne besojmë që Shoqëria e Shën Françeskut të Salezit ka lindur jo vetëm nga projekti njerëzor, por nga iniciativa e Zotit”.
E falenderojmë Shpirtin e Zotit, i cili i ka dhënë Kishës Katolike dhe botës mbarë një Apostull dhe një Meshtar të Shenjtë.
Misioni i bijve shpirtërorë të Don Boskos është ajo që: “të formojnë dhe të edukojnë të rinj, fëmijë dhe adoleshentë, sidomos ata të varfërit dhe ata që kanë nevojë, në mënyrë integrale, duke i dhënë atyre instrumentet etike dhe kulturore, që ata të bëhen qytetarë të ndershëm dhe besimtarë të mirë.”
Udhërrefyesit e parë të tyre, janë udhëzimet teologjike dhe religjioze: “të duash Zotin me gjithë mendje, me gjithë zemër, me të gjitha pasionet e tua, më gjithë qenien tënde, të duash të afërmit si veten tënde”.
Shpëtimi përfundimtar dhe i plotë i çdo njeriu, kalon nëpërmjet njohjes së aspektit mesianik dhe zotësisë së Krishtit. Por kjo njohje mund të jetë e ndërthurur, me dashurinë ndaj të afërmëve ku të gjithë mund ta shprehim, dhe jo vetëm me përkatësi formale të Kishës.
Përshpirtëria e Don Boskos dhe e Salezianëve, është një përshpirtëri e aksionit, e veprimit, e rritjes në të mirën konkrete dhe historike. Duhet Zoti në mënyrë dhe në përmasa të tilla, sa mund t’i bëhet mirë njeriut konkretisht. Një përshpirtëri jo sentimentale, por ajo operative dhe konkrete ndaj së mirës.
Për të arritur qëllimet dhe objektivat e veta, Salezianët punojnë nëpër shkolla me formime profesionale, të mesme dhe në lice, në famulli, në universitete, në kolegje, në konvikte, në oratorë dhe qendra rinore, në qendra pedagogjike, në shtëpi familje, në bashkësi terapeutike dhe rehabilituese, etj…