Marrëdhënia si aspekt thelbësor i procesit didaktik dhe edukativ

 

Burimet e përpunimit të materialit:

Kurset e trajnimit: Tiranë, nëntor 2015; Prishtinë, tetor 2016, Vizita inspektoriale, prill 2017; material të ndryshëm psiko-pedagogjik .

 

Nganjëherë kur mendoj se ç’pasoja të mëdha

rrjedhin nga gjëra të vogla…

bindem…

se nuk ka gjëra gjëra të vogla. (Bruce Barton)

 

 

Lidershipi personal

Mendoni se takoni dikë në pyll duke punuar i ethshëm për të prerë një pemë.

“Ç’po bëni?” – e pyesni.

“A nuk e shihni?”, thotë ai i paduruar. “Unë po sharroj këtë pemë”. “Ju dukeni i dërrmuar” – e ngrini zërin ju. “Sa kohë keni që po sharroni?”

“Mbi pesë orë”, shton ai “dhe jam kaq i dërrmuar! Kjo është punë shumë e lodhshme.”

“Po pse nuk pushoni pak dhe të mprehni sharrën?” – e pyesni ju.

“Jam i sigurtë se do të funksionojë më shpejt”.

“Nuk kam kohë të mpreh sharrën?”, tha njeriu me keqardhje. “Jam shumë i zënë duke sharruar”.

 

  1. Çfarë kuptimi i jepni ju këtij dialogu?

 

  • Mendoni ndonjë rast të vështirë në lidhje me ndonjë nxënës në të cilin mund të kishit harxhuar më pak energji dhe do t’ia kishit dalë më mirë nëse do të kishit gjetur realisht thelbin e problemit dhe zgjidhjen e duhur për të? (në lidhje me nxënësit).

 

  • Takimet e formimit, shëtitjet, studimet, mbledhjet, organizimet, planifikimet , shërbejnë pikërisht për këtë: të mprehet sharra për të harxhuar energjitë e nevojshme në punën tonë didaktike dhe edukative në mënyrë që të mos arrijmë në fund të ditë të dërrmuar dhe pa rezultatet e duhura (në lidhje me veten tonë).

 

Vetë qëllimi ynë didaktik dhe edukativ e kërkon këtë për faktin se duhet të punojmë për formimin e tërësishëm të nxënësit.

Nuk mund të formojmë tërësisht, të gjitha dimensionet e nxënësit nëse vetë ne nuk jemi tërësisht të formuar, ose të paktën nëse ne nuk angazhohemi vazhdimisht me formimin e tërësishëm të vetvetes.

Të reflektojmë së bashku mbi fjalën kryesore që karakterizon veprën e mësuesit: Didaktikë

 

  1. Çfarë do të thotë didaktikë?

– Shkenca dhe arti i marrëdhënies mes mësimdhënies (mësuesi) dhe mësimnxënies (nxënësi) në brendësi të një konteksti.

Didaktika ka të bëjë me ARTIN, pra mënyrën se si i transmetojmë dijet. Të gjithë zotërojnë dije të ndryshme por jo të gjithë janë mësues.

 

  1. Cila është fjala që shërben si urëlidhëse mes mësuesit dhe nxënësit, në këtë fjali?
  • MARRЁDHЁNIA

Mësimdhënja është takim mes mësuesit dhe nxënësit.

Pra didaktika është mënyra ose arti me të cilin mësuesi i kalon dijet, dhe jo vetëm kaq. Ёshtë marrëdhënia që krijohet mes mësuesit dhe nxënësit ndërsa kalohen dijet.

Shkolla ka të bëjë kryesisht me MARRЁDHЁNIET mësues-nxënës në brendësi të një konteksti (krh. “Rregullorja e brendshme e shkollës”).

 

  1. Cilat janë kontekstet këtu?

 

  1. Nxënësi;
  2. Mësuesi;
  3. Bashkësia edukative.

 

  1. Nxënësi në tërësinë e tij, me historinë e tij.

Didaktikë: mënyra e transmetimit të dijeve, dhe marrëdhënia që krijoj unë me nxënësin bën që nxënësi të përparojë, të rritet, të motivohet dhe të zhvillohet tërësisht në mendje, në zemër, në vullnet dhe në shpirt.

Në themel të veprës didaktike qëndron njohja e tërësishme e nxënësit.

Njohja duke u nisur nga nxënësi dhe jo nga interpretimi im që formuloj mbi të.

Njohjes i paraprin dëgjimi dhe komunikimi. Për këtë arsye didaktika është marrëdhënie sepse mësuesi para se të komunikojë:

  • Dëgjon;
  • Njeh;

Kemi këtu kalimin nga “Didaktika me në qendër mësuesin” në “Didaktikën me në qendër nxënësin”.

Ndryshon tërësisht paradigma e mësimdhënies e parë në aspektin e marrëdhënies.

“Unë nuk mund ta kuptoj nxënësin x. Nuk më dëgjon fare”: Didaktika me në qendër mësuesin.

 

Didaktika me në qendër nxënësin ka të bëjë fillimisht me dëgjimin e nxënësit, dhe jo një dëgjim sipërfaqësor por një DЁGJIM EMPATIK.

 

  • Dëgjimin me qëllimin për të kuptuar nga brenda nxënësin. Shikimi përmes nxënësit, ta shohim botën si e shohin ata, të kuptojmë si ndjehen ata. Empati nuk do të thotë simpati. Simpati na bën të varur kundrejt personit që kemi përballë sepse është një formë marrëveshjeje, gjykimi. Thelbi i dëgjimit empatik nuk është që të merremi vesh me një person; është që ta kuptojmë plotësisht dhe thellësisht këtë person, si emocionalisht ashtu dhe intelektualisht.

 

Ekspertët e komunikimit vlerësojnë, që:

  • 10% e komunikimit tonë shprehet nga fjalët që themi;
  • 30% shprehet nga tingujt;
  • 60 % nga gjuha trupore.

 

dëgjimin empatik, ne dëgjojmë me veshë, por më e rëndësishmja, është se dëgjojmë me sy dhe me zemër dhe veçanërisht me zemër. Gjërat thelbësore – i thotë princi i vogël dhelprës- janë ta padukshme për syrin njerëzor. Nuk shihet mirë përveçse me zemër. Ose si përsëriste shpesh don Bosko që: “edukon mirë vetëm nëse edukon me zemër”.

 

Ne dëgjojmë për ndjenjën, për kuptimin dhe për sjelljen. Pra kur dëgjojmë nuk dëgjojmë vetëm fjalët por personin në tërësi. Siç e shihni janë tre dimensionet e edukimit të tërësishëm: Zemra, intelekti, vullneti. Si mund të edukojmë këta tre dimensione nëse ne nuk dëgjojmë me empati ndjenjën, kuptimin dhe sjelljen?

 

Dëgjimi empatik është shumë i fuqishëm, sepse na jep të dhëna të sigurta për përdorim. Në vend të projektimit të autobiografisë sonë dhe mendimeve, ndjenjave, motiveve dhe interpretimeve të fryra, ne merremi me realitetin që mendon dhe ndjen personi tjetër. Ne dëgjojmë që të kuptojmë. Jemi të përqëndruar në perceptimin në thellësi të komunikimit të një shpirti tjetër njerëzor.

Shpeshherë nxënësi me një sjellje të tij na komunikon diçka krejt ndryshe nga ajo që ne kuptojmë. Për këtë arsye është shumë i rëndësishëm dëgjimi për të kuptuar më mirë dhe për të krijuar marrëdhënie të drejta me të dhe si pasojë për ta orientuar dhe edukuar si duhet.

 

Të përkthyera me fjalë të tjetra në gjuhën e sistemit Parandalues të don Boskos dëgjimi është element thelbësor i Arsyes. Arsyeja është para së gjithash: besim në dialog, dëshirë e sinqertë për komunikim dhe dëgjim. Dialogu është propozimi i një vlere. Ndërsa dialogon me nxënësin ai të orienton kah vetja e tij, të jep çelësin për të hyrë në brendësi të tij dhe për ta orientuar si duhet. Ёshtë absolutisht e pamundur që një mësues të dijë të orientojë drejt nëse nuk dëgjon. Dialogu është një pasurim i ndërsjellë, duke filluar nga njohja e përbashkët (edhe pse e ndryshme) e rrugës së jetës. Ky është mjedisi në të cilin zhvillohet ballafaqimi me edukatorin:

  • njohja e ndërsjellë;
  • thellimi;
  • kërkimi i arsyeve;
  • identifikimi i vështirësive;
  • zbulimi i mundësive reale për secilin nxënës.

 

Don Bosko thoshte: “T’u jepet rehati nxënësve që të shprehin lirisht mendimet e tyre”. Asgjë me themel – thoshte don Bosko, nuk mund të arrihet, derisa i riu të mos ia hapë zemrën e vet edukatorit.

Jo gjithmonë është e lehtë të marrim seriozisht konfliktet që lindin mes nxënësve dhe i mbyllim thjesht me një fjali: pajtohuni tani! Duke i forcuar ata që të bëjnë një gjest pa respektuar fazat e tij, dhe duke e lënë problemin pa e zgjidhur.

 

Aty ku jetoj unë gjithçka ka përmasa shumë të vogla… dua që fatkeqësitë e mia të merren seriozisht” – dialogu i princit të vogël, i cili vë në pah vështirësitë e të mëdhenjve që të ulen në botën e fëmijëve, adoleshentëve dhe t’i ndihmojnë për t’u aftësuar në zgjidhjen e problemeve e tyre.

 

  • Zhvillimi inteklektual psikologjik dhe shpirtëror ndodh brenda një procesi të vazhdueshëm i cili përmban brenda tij dinamika të ndryshme dhe nganjëherë edhe konfliktuale.

Rrezikshmëria e procesit edukativ qëndron në faktin se vështirësitë që hasim gjatë këtij procesi i katalogojmë brenda një kornize problemesh për t’u zgjidhur.

Gjatë një procesi parashikohen vështirësi dhe jo gjithmonë vështirësitë janë probleme për t’u zgjidhur. Duhet të respektohet procesi i rritjes së nxënësit dhe rritja ka nevojë për një afat kohor që secili duhet të respektojë; afati kohor nuk është i njëjtë për të gjithë. Shumë prej jush mund të ketë histori të shumta për të treguar në lidhje me ndryshimet që keni parë nga dita në ditë, nga muaji në muaj dhe nga viti në vit, në lidhje me ndonjë nxënës të veçantë. Edukimi është një proces. Rregullorja është për nxënësin dhe jo nxënësi për rregulloren. Për këtë arsye shpesh gjendemi para negociatave të ndryshme në mënyrë që rregullorja të mos mos bëhet objekt keqësimi për nxënësin. Janë shumë të nevojshme në këtë rast arsyeja, kuptimi dhe toleranca. Të jemi të ndërgjegjshëm dhe t’ia bëjmë pyetjen vetes:

  • Sa % e zbatoj unë, si punonjës, rregulloren e shkollës?
  • Sa shumë tolerancë dhe kuptim kërkoj unë nga drejtuesit e mi?

 

Nëse drejtuesit tanë e konsiderojnë profesionin e mësuesit si një proces ku secili nga ne ka për t’u përmirësuar, aq më tepër duhet ta mendojmë këtë për nxënësit që na janë besuar. Për këtë arsye një sjelljeje jo të mirë të nxënësit nuk duhet t’i përgjigjemi direkt me ndëshkim.

 

Pikat thelbësore të don Boskos përsa i përket ndëshkimit:

  • Ndëshkoni vetëm pasi t’i keni provuar të gjitha mjetet e tjera.
  • Ёshtë më e lehtë të acarohesh, se sa të kesh durim; të kërcënosh një fëmijë, se sa ta bindësh; është akoma më e lehtë për durimin dhe krenarinë tonë t’i ndëshkosh ata që rezistojnë, se sa t’i korrigjosh, duke i duruar me qëndrueshmëri dhe me mirësi.
  • Rrallëherë vlen një ndëshkim i papritur dhe i dhënë pa kërkuar përpara mjete të tjera.
  • Mësuesit që nuk ua falin nxënësve gabimet e tyre, e kanë për zakon pastaj t’ia falin të gjitha vetvetes.
  • Aty ku mjafton paralajmërimi, nuk përdoret vërejtja dhe aty ku vërejtja është e mjaftueshme, nuk duhet të vazhdohet më tej.

 

  • Për të korrigjuar duhet të pritet çasti i përshtatshëm.
  • Mos e ndëshkoni fëmijën në atë çast, kur ai e bën gabimin… duhet t’I lihet kohë për të reflektuar, për të folur me vetveten…
  • Para së gjithash kërkoni të zotëroni vetveten, mos e lini të merret vesh se ju po veproni të shtyrë nga pasioni ose nga zemërimi.

 

  • Duhet të ekzistojë shpresa e të falurit.
  • Të harrosh dhe të bësh që të harrohen ditët e trishtuara të gabimeve, është arti më i madh i edukatorit më të mirë.
  • Duhet të mënjanohet vuajtja dhe frika që nxiten nga korrigjimi dhe duhet të ekzistojë gjithmonë fjala e mire që të qetëson.
  • Disa here vetëm lënia e të kuptuarit ndaj atij që ka gabuar, se nuk e ka bërë me të keq, mjafton që ai të mos e përsërisë të njëjtin gabim. Ndoshta ata janë fajtorë, por dëshirojnë që të tjerët të mos i quajnë të tillë.

 

  • Ndëshkimi i mundshëm të jetë i tillë që t’i shërbejë përmirësimit.
  • Për të rinjtë është ndëshkim gjithçka që ne e bëjmë të duket si i tillë. Vërehet që një vështrim qortues ka efekt më tepër se një shuplakë…
  • Të jemi të qartë se forca e ndëshkon vesin por nuk e zhduk atë.

 

  1. Mësuesi: pjesë përbërëse e kontekstit edukativ;

Edukimi është një proces që përfshin jo vetëm nxënësin por edhe mësuesin. Ndërsa edukojmë dhe edukohemi.

Pra, procesi i didaktikës përfshin jo vetëm kalimin e dijeve por kryesisht zhvillimin e karakterit edukativ të mësuesit.

Duhet të ndërgjegjësohemi që sot më tepër se asnjëherë:

  • Mësuesi është vetëm njëri nga elementet që kontribuojnë në edukimin e fëmijës.

“Kontribuojnë në zhvillimin e tërësishëm të nxënësit i gjithë ambienti përreth: familja, natyra, konteksti shoqëror, teknologjia”.

 

Mësuesi nuk është i vetmi aktor në skenën e jetës shkollore të fëmijës. Si pasojë rezultatet që merr nga puna e përditshme jo gjithmonë hyjnë brenda pritshmërive të secilit. Kjo gjë ndërgjegjëson secilin prej nesh që nuk jemi të gjithëpushtetshëm kundrejt nxënësit që më është besuar. Angazhimi i secilit mësues mund të jetë 100% por jo gjithmonë rezultatet janë në përpjestim me angazhimin tonë. Jo gjithmonë arritja e rezultateve (të larta apo të ulëta) identifikohen me angazhimin e mësuesit.

 

Mësuesi në këtë rast duhet të çlirohet nga ndjenja e gjithëpushtetësisë por edhe nga vënia e vazhdueshme nën presion të nxënësit për të arritur rezultatet e pritura.

 

Kalimi nga “Didaktika me në qendër mësuesin” (mësimdhënia tradicionale) në “Didaktikën me në qendër nxënësin” bën që të respektohet procesi i zhvillimit të secilit. Për këtë arsye didaktika është MARRЁDHЁNIE. E vetmja gjë që mund të bëhet është të bëjmë negociata të vazhdueshme me elementet e tjerë që ndikojnë në zhvillimin e nxënësit siç janë familja, shoqëria, apo t’i ndihmojmë nxënësit që të dinë të seleksionojnë ata elementa që ndikojnë pozivisht në jetën e tyre por e gjithë pjesa tjetër nuk është në dorën tonë.

 

Pas gjithë kësaj që u tha më sipër e vetmja fjalë kyqe që duhet të drejtojë veprimin didaktik dhe edukativ në sistemin parandalues të don Boskos është DASHAMIRЁSIA, e cila është krejt ndryshe nga dashuria.

Dashamirësia bëhet sistem edukativ kur është:

  • Dashuri e lexueshme;
  • Dashuri e deklaruar;
  • Dashuri si një vullnet për të “qëndruar me”;
  • Dashuri për atë që u pëlqen nxënësve;
  • Dashuri si besim i pakushtëzuar;

 

  1. Konteksti i Bashkësisë edukative
  • Asnjë nga ne nuk është i vetëm. Brenda një shkolle ekziston një bashkësi e tërë edukative që bashkëndan, mbështet, inkurajon dhe orienton veprimin tonë.

Duke pasur parasysh organigramën e institucionit vëmë re që rolet që secili mbulon nuk janë të shkëputura nga njëri-tjetri por ndërlidhen në mënyrë që  sistemi edukativ të bëhet më i fortë dhe i fuqishëm.

 

 

Shega Mirashi